Kryetari i Kuvendit Ruçi, priti sot në Kryesinë e Kuvendit Drejtorin për Europën Qendrore dhe Jugore në Departamentin e Shtetit të ShBA, z. David Kostelancik.

Gjatë takimit me Ruçin, Kostelancik theksoi se reforma në drejtësi dhe Vettingu mbështeten fort nga SHBA. Gjithashtu ai nënvizoi se reforma elektorale duhet të përfundojë brenda vitit dhe bashkë me opozitën.

Në takim ishte e pranishme edhe e Ngarkuara me Punë e Ambasadës së SHBA-së në Tiranë, znj. Leyla Moses-Ones.

Ruci Me Zyrtarin E Dash Ok
Ruci Me Zyrtarin E Dash Ok

Kryetari i Kuvendit Ruçi i shprehu Drejtorit Kostelancik mirënjohjen për mbështetjen e vazhdueshme të ShBA për Shqipërinë, për ruajtjen e integritetit e sovranitetit të saj në momentet vendimtare të historisë, mbështetjen gjatë tranzicionit dhe në mënyrë të veçantë në mbështetjen e reformave kyçe për transformimim dhe shëndoshjen demokratike të Shqipërisë.

Duke u ndalur në kontributin e SHBA-së në reformën në drejtësi, z. Ruçi nënvizoi se kjo reformë nuk do të ishte e mundur pa këtë mbështetje. Kryetari i Kuvendit vlerësoi faktin që ShBA vazhdojnë ta kenë me prioritet në fokus rajonin e Ballkanit Perëndimor, çka e konfirmoi edhe emërimi nga sekretari Pompeo i z. Mattheë Palmer si i dërguar special për rajonin.

“Nënvizimi nga z. Palmer në Forumin e Bledit të Sllovenisë i çeljes së negociatave të BE-së me Shqipërinë si një prioritet i SHBA në rajon është me shumë rëndësi për ne dhe një mbështetje e madhe për rrugëtimin europian të Shqipërisë”, theksoi Kryetari i Kuvendit.

Drejtori David Kostelancik falënderoi Kryetarin Ruçi për vlerësimin e kontributit të ShBA dhe Ambasadës në Tiranë për thellimin e reformave për transformimin e Shqipërisë dhe vuri në dukje se Ballkani është me rëndësi jetike për ShBA, Shtëpinë e Bardhë, Departamentin e Shtetit dhe Sekretarin Pompeo.

Z. Kostelancik nënvizoi se SHBA e konsideron Shqipërinë si një aleat strategjik në NATO dhe e vlerëson shumë të rëndësishëm bashkëpunimin me të.
Ai vuri në dukje nevojën për kryerjen e reformës zgjedhore dhe rekomandoi se është përgjegjësi e qeverisë që dora e shtrirë për opozitën duhet të mundësojë tërheqjen e saj në realizimin e kësaj reforme. Kryerja e reformës zgjedhore brenda vitit do të mundësoje edhe një presidencë shqiptare të suksesshme të OSBE-së në vitin 2020.

Drejtori Kostelancik nënvizoi mbështetjen e SHBA për reformën në drejtësi “Institucionet e reja të sistemit do tu shërbejnë qytetarëve sot e në të ardhmen dhe do të mundësojnë që shqiptarët të jetojnë në paqe e mirëqenie. Vettingu është mbështetur dhe do të vazhdojë të mbështetet fort nga ShBA”, vuri në dukje zyrtari i DASH.

Kryetari i Kuvendit, z. Gramoz Ruçi, nënvizoi se shumica qeverisëse dhe ai personalisht janë të angazhuar për kryerjen e reformës zgjedhore dhe për këtë do të bashkëpunojë edhe me opozitën parlamentare e joparlamentare, e cila ka të drejtën e vetos në komisionin e ri të reformës.

Kryetari i Kuvendit, z. Gramoz Ruçi dhe Drejtori Kostelancik ishin të një mendjeje se kryerja e reformave është thelbësore për Shqipërinë dhe se qeveria dhe opozita duhet të punojnë bashkë për shëndetin e demokracisë në Shqipëri dhe prestigjin e vendit tonë në OSBE, NATO dhe organizatat e tjera ndërkombëtare.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb