Nga: Miron Çako*

(Vijon nga numri i djeshëm)
Një nga mënyrat me të cilat djalli mashtron adoleshentët, të rinjtë, dhe i lidh pas vetes është muzika, si ajo Rok&Roll ose Havy Metal. Kjo është një muzikë ritmike që ndikon në sistemin nervor dhe rrit me tepri adrenalinën dhe ndikon në sistemin e vetëkontrollit. Kjo muzikë është e frymëzuar nga ritet magjike të Voodo-s në Afrikë. Vetë pjesëtarët e këtyre grupeve janë adhurues të djallit dhe kryejnë rite magjike dhe mbajnë e bëjnë simbole satanike, si yllin pentalfa (pesë cepa), kryqin kokëposhtë, kryqin e thyer të Neronit që sot mbahet si simbol i paqes etj. Por ajo që tregon më qartë se këta vërtet janë adhurues të djallit, janë tekstet e këngëve të tyre, që pothuajse të gjitha flasin për rezistencë kundër prindërve, kundër ligjit, një jetë të lirë seksuale me çdo perversion, por edhe një thirrje për adhurim të hapur të djallit. P.sh.: këngëtari i rrokut Led Zeppelin këndon: “Unë dua të jetoj për djallin…”. Kjo lloj muzike e shoqëruar me këto vargje satanike ndikon te dëgjuesit dhe i sjell ata në një gjendje demoniake dhe tek ata shfaqen karakteristikat e një njeriu të pushtuar nga demoni, si ulërima, abuzime seksuale, akte dhune, deri në vrasje e vetëvrasje. Një kërkim i mjekësisë ligjore në Amerikë ka vërtetuar se 18% e vetëvrasjeve të të rinjve dhe i veprimeve të dhunshme i detyrohet muzikës rrok e shoqëruar me narkotikën. Në një këngë të këtij lloji përdoren sinjale zanore mbi aftësi dëgjuese, domethënë 30.000 lëkundje zanore në sekondë, dëgjuesi nuk i dëgjon me veshin e tij, sepse gjendet në zonën e ultratingujve, por këta ultratinguj kanë ndikimin e drogës në sistemin nervor, i cili i merr këta tinguj në mënyrë të pavetëdijshme. Të mos na çudisë ky fakt, sepse sipas një tradite, thuhet se Eosfori si kryeengjëll i Zotit kishte për detyrë të kompozonte muzikën qiellore dhe t’i drejtonte engjëjt në adhurim drejt Perëndisë, dhe tani si një engjëll i rënë, Satanai e përdor këtë dhunti, ku nëpërmjet tingullit të zhurmshëm i largon njerëzit nga adhurimi i Perëndisë, duke i drejtuar në adhurim ndaj tij (djallit) dhe duke i nxitur në vepra mëkatare dhe krime. Shën Kozmai profetizon dhe thotë se “…do të vijë koha që botën do ta drejtojnë ‘tamtamet dhe tamtumet’” – domethënë ritmi i shfrenuar (profecia 44).
Përveç muzikës, djalli përdor dhe metoda të tjera “argëtuese” për të tërhequr rininë, siç janë lodrat elektronike që janë të ndërtuara me persona diabolikë me veprime dhe akte të dhunshme. Por mbi të gjitha, është keqpërdorimi i internetit, që jep mundësi të shpejtë nëpërmjet portaleve, për të marrë leksione adhuruese ndaj djallit dhe ritualeve magjike. Sot ka adhurues të hapur të djallit të cilët quhen satanistë. Numri i satanistëve po rritet gjithnjë e më shumë; po ashtu dhe i magjistarëve, të cilët po kryejnë hapur ritualet e magjisë së zezë ose të bardhë pa asnjë pengesë. Në vitin 1968 u krijua në Amerikë bashkësia ndërkombëtare e magjistarëve të Eusforit “Wicce”, e cila llogarit se numëron 2 milionë anëtarë, por kjo e dhënë është e vitit 1995 dhe sipas Norla Alapuices, autore e librit “Generatoin Hex”, numri tek “Wicce”-sat dyfishohet në 30 muaj, duke vënë në dukje se janë 700 mijë faqe interneti për “Wicce”-s. “Wicce” thotë se ka 1179 libra me shtriga që qarkullojnë për të gjitha moshat. Sot në Europë ka 12 shkolla magjie me filialet e tyre, të cilat e kanë fillesën e tyre që nga Mesjeta dhe vazhdojnë edhe sot të njëjtin proces mësimor, por të hapur dhe të certifikuar. Në këto shkolla mësohen magjia e zezë, ritet pagane, mjekësia alternative, hipnoza etj. Në këto kolegje marrin pjesë fëmijë nga mosha 8-12 dhe deri të rritur 35-45 vjeç. Pothuajse në të gjithë Evropën ka magjistarë të certifikuar që ushtrojnë magji pa pengesë. Statistikat tregojnë se nga viti në vit ata rriten me mijëra, duke u bërë një ushtri magjistarësh në shërbim të demonëve, si mashtrues të mashtruar.
Mund të themi se satanizmi sot ndahet në tri forma: Satanizmi sadist, dhe këtu është fjala për akte të dhunshme shtazarake dhe praktikimi i magjisë së zezë me gjymtim të kafshëve, vrasje njerëzish (fëmijësh); këta janë përgjegjës për grabitjen dhe flijimin e shumë fëmijëve 7-17 vjeç, dhe ato që mendja njerëzore nuk mund të shkojë. Në këtë grup futen maniakët, sadistët, skizofrenët, të gjithë këta janë shenja të dukshme të demonizimit. Anëtarët e këtij grupi satanist në vitin 1969 vranë aktoren Saran Tejd në Amerikë, ose në vitin 1985, një çift satanik bashkë me djalin e tyre martirizuan priftin At Joan Kazastomatis brenda në kishën e profetit Ilia në Santa Cruz, Kalifoni. Me gjakun e tij ishin shkruar në mure parulla katanike dhe numri i antikrishtit 666-t.
Forma tjetër quhet satanizmi i përmbajtur. Ky grup ka dhe kishat e tij, e para u themelua në 1966-ën në San Francisko nga Anton Lavej. Ky lloj satanizmi është një lloj feje që përmban antivlera dhe shkon drejt përmbysjes dhe shtrembërimit të vlerave morale, duke paraqitur si të natyrshme prirjen e kënaqësive trupore, seksualizmin në përgjithësi me të gjitha devijimet dhe perversionet, abortin dhe gjithë shtrembërimeve morale, himnizon paturpësinë dhe veprimet anarkiste.
Dhe forma tjetër është satanizmi i maskuar si engjëll drite. Në këtë grup, magjia e bardhë ka qëllimin parësor. Magjinë e konsiderojnë gjoja si “Shkencën e komunikimit dhe sundimit mbi forcat e natyrshme. Një njohuri praktike e mistereve të fshehta të natyrës”. Në këtë grup futen magjistarët, fallxhorët, spiritistët, hipnotizuesit, mediumet, alkimistët, astrologët, ata që ushtrojnë jogën etj. Një fakt tjetër tronditës është se 85% e magjistarëve janë gra dhe quhen shtriga, dhe ky është një lajm i keq duke menduar ndikimin që ka gruaja (nëna) në edukimin e fëmijëve, dhe kështu dashje pa dashje, me dije ose pa dije, me indiferentizëm apo me një përqasje të gabuar të fenomenit, prindërit po bëhen kontribuues për demonizimin e fëmijëve, dhe kjo është në dëm jo vetëm të fëmijëve, por për vetë prindërit dhe për gjithë shoqërinë, ashtu siç thotë një fjalë e urtë: “Çfarë do të mbjellësh, atë do të korrësh”. Në Bibël thuhet se njerëzit në fund do t’i largohen besimit në Zotin dhe do të ngjiten mbas adhurimit të djallit: “Dhe fryma thotë hapur, se në kohën e fundit disa do ta mohojnë besimin duke u vënë veshin frymërave gënjeshtare, doktrinave të demonëve.” (1 Tim. 4:1). Kjo do të reflektohet në sjelljet e njerëzve. Dhe përsëri apostull Pavli i thotë Timotheut: “Dhe këtë dije se në ditët e fundit do të vijnë kohë të vështira, sepse njerëzit do të jenë egoistë, lakmues parash, mburravecë, mendjemëdhenj, blasfemues (shajnë Zotin), të pabindur ndaj prindërve, mosmi-rënjohës të paudhë, të padhembshur, të papajtueshëm, shpifës, të papërmbajtur, mizorë, që s’e duan të mirën, tradhtarë, gojë-lëshuar, fodullë, dëfrimdashës më shumë se perëndidashës, të perë-ndishëm në dukje por mohues të fuqisë së saj, dhe nga këta largohu!” (2 Tim. 3:1-5) Mund të themi se ky përcaktim, është CV-ja më e vërtetë e brezit të sotëm, i cili gjithnjë e më tepër po shfaq ndikime demoniake.
Në një raport të OKB-së në shkurt 2009, deklarohet se në Kongo 50 mijë fëmijë merren me magji dhe prindërit nga frika i kanë larguar nga shtëpitë e tyre dhe ata enden rrugëve.
Kisha Ortodokse është në luftë të hapur me djallin. Ajo është një vend i sigurt mbrojtjeje nga sulmet, dhe me lutjet e Kishës njerëzit çlirohen nga ndikimi demoniak. Këtë fuqi kundër demonëve Kisha nuk e ka nga vetvetja, por nga Zoti Jisu Krishti, i cili e mundi djallin si Perëndi-Njeri me anë të kryqëzimit dhe ngjalljes së Tij. Pavarësisht se kryqëzimi i Krishtit duket si fund tragjik, aty është dhe triumfi i Atij, sepse djalli merr të drejta kundër nesh nga mëkati, këtu flasim për mëkatin e dy njerëzve të parë (mëkati stërgjyshëror, që trashëgohet te çdo njeri), mëkatet personale të çdo njeriu dhe te fëmijët merr pushtet nga mëkatet e prindërve. “Mëkati i njeriut lahet me gjak, se te gjaku është jeta e njeriut” (Heb 9- 23 Lev 17-11), prandaj dhe Biri i Perëndisë u bë Bir Njeriu, që si njeri të flijohej për të shlyer mëkatet e njerëzve në kryq, si fli shpenguese, si “Qingji i Perëndisë që shlyen mëkatet e botës” (Jn. 1:29). Këtë përulësi dhe flijim të Krishtit, djalli egoist dhe krenar nuk arriti dot ta kuptojë, prandaj ai i nxiti njerëzit të kryqëzojnë Krishtin, dhe këtu është gabimi i tij më i madh dhe fillimi i fundit të pashmangshëm, prandaj dhe Zoti Krisht tha: “Tani është gjyqi i kësaj bote; tani prijësi i kësaj bote do të hidhet jashtë.” (Jn. 12:31) Dhe fundi i pashmangshëm i djallit do të jetë me Ardhjen e Dytë të Krishtit: “Edhe djalli që i mashtronte ata, u hodh në liqenin e zjarrit e të squfurit, ku ishte bisha dhe profeti gënjeshtar; edhe do të mundohen ditë e natë, në jetë të jetëve.” (Zbu. 20:10). Por në Ardhjen e Dytë të Zotit Krisht do të gjykohen dhe dënohen edhe ata që i shërbyen djallit deri në fund dhe nuk u penduan dhe nuk u kthyen te Perëndia që t’i shpëtojë. “Edhe frikacakët dhe të pabesët dhe të ndyrët dhe vrasësit dhe kurvëruesit dhe magjistarët dhe idhujtarët e të gjithë gënjeshtarët do të kenë pjesën e tyre në liqenin që digjet me zjarr e me squfur. Kjo është vdekja e dytë.” (Zbu. 21:8) Kisha ka lutje të veçanta që i thonë priftërinjtë për çlirimin nga ndikimi demoniak, dhe këto lutje quhen ekzotizma.
Le ta mbyllim me një histori të vërtetë. Përpara një prifti ortodoks sollën një të demonizuar, dhe mbasi prifti i bëri kryqin, e urdhëroi djallin që të fliste, duke i bërë një pyetje të guximshme: “Nga se kanë frikë demonët?” Dhe djalli foli me gojën e të demonizuarit: “Ne kemi frikë nga tri gjëra: nga ajo që ju të krishterët varni në qafë, nga ajo që ju laheni në kishë dhe nga ajo që ju hani në kishë.” Djalli ka frikë nga tri gjëra, që as emrin nuk guxon t’ua thotë: e para, nga mbajtja dhe bërja e kryqit, që është shenja e Krishtit; nga pagëzimi, që na pastron nga mëkati, na bashkon me Krishtin dhe bëhemi krishtër (bij të adaptuar të Perëndisë); dhe nga kungimi (trupi dhe gjaku i Krishtit), duke u bërë të ngjashëm me atë në lavdi dhe fuqi. Të tria këto mjete kundër djallit gjenden dhe afrohen për çdo njeri që dëshiron për veten dhe për fëmijët, në Kishën Ortodokse.
“Bindjuni pra Perëndisë; rrini kundër djallit, edhe do të ikë nga ju.” (Jak. 4:7)
* Përgjegjës i Zyrës së Katekizmit, KOASH

(ma.ar/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: